Të hënën u mblodhën por nuk i shuan ethet për rritjen e çmimit të rrymës. Këtë gjë mund ta bëjnë tek të martën anëtarët e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, pasi në rend dite e kanë shqyrtimin e propozimeve për tarifat e reja.
Kjo nguti vjen për shkak të urgjencës që ka shkaktuar kriza energjetike në vend.
Bllok-tarifat e reja pritet të kenë edhe efekt retroaktiv, që i bie se llogaritjet në faturë bëhen nga 1 shkurti. Për të vendosur, ZRRE-ja thotë se është duke i marrë parasysh edhe komentet e institucioneve për këtë çështje.
Por edhe llogaritjet e shpenzimeve të janarit, që sipas kryesuesit, Ymer Fejzullahu, kanë dalë më të larta se sa parashikimet.
Në takimin e së hënës u përcaktuan vetëm të hyrat e lejueshme maksimale për tre operatorët, KOSTT, KEDS e KESCO.
Në vikend, qeveria vendosi që subvencionimin e energjisë ta rrisë në 90 milionë euro, teksa ka premtuar edhe ndihma shtesë për kursimtarët, kur të aplikohen tarifat e reja.