Komandanti i Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake sudaneze (RSF) njoftoi një armëpushim dy-ditor “të njëanshëm” që fillon të martën gjatë festës së Kurban Bajramit, raporton AA, përcjell Fol Drejt.
“Ne po shpallim një armëpushim të njëanshëm, me përjashtim të situatave të vetëmbrojtjes, në prag të Bajramit dhe në ditën e Kurban Bajramit,” tha të hënën Mohammad Hamdan Dagalo, i njohur gjithashtu si Hemedti, në një regjistrim audio të postuar në Facebook.
Dagalo shprehu shpresën se festa e Bajramit do të ofronte një mundësi për pajtim mes popullit sudanez.
Duke pranuar kushtet sfiduese humanitare të shkaktuara nga lufta, ai tha: “Shpresojmë të dalim nga lufta më të bashkuar dhe më të fortë”.
Kurban Bajrami, ose Festa e Sakrificës, është një nga festat më të rëndësishme muslimane, që shënon kulmin e haxhit (pelegrinazhit) vjetor në Arabinë Saudite.
Sudani është shkatërruar nga luftimet midis ushtrisë dhe RSF-së që nga mesi i prillit në një konflikt që vrau afro 1000 civilë dhe plagosi 5000 të tjerë, sipas mjekëve vendas.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) vlerëson se konflikti ka zhvendosur më shumë se 2.2 milionë njerëz.
Gjatë periudhës së kaluar u njoftuan disa nisma për armëpushim. Megjithatë, palët ndërluftuese akuzuan njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve të armëpushimit. /FolDrejt/