Njëri prej më të përgjuarve nga shërbimet sekrete të Maqedonisë, Rufi Osmani nga Gostivari, në seancën e djeshme për përgjimin masiv “Target-Fortesa” është shqetësuar derisa ka dhënë dëshmi. Ai ka thënë se ka dyshuar se është i përgjuar në periudhën prej vitit 2008 deri në vitin 2015-të, derisa ka qenë kryetar i Gostivarit, a më pas edhe si kryetar i partisë. Osmani ka rrëfyer se ai dhe familja e tij kanë jetuar si në përditshmëri ferri duke e ditur se Policia Sekrete ia di problemet private.
“I kanë ditur problemet e mia shëndetësore dhe të gruas. Në mënyrë anonime na kanë lajmëruar në shtëpi, në telefon, të gruas dhe të vajzës sime”, tha Osmani, i cili siç u duk është shqetësuar kur e ka përmendur fëmijën e tij, njofton SDK.
Kaploi heshtja në sallë të gjykimit. Ai kërkoi falje që është shqetësuar.
Më pas tha se për tre vite të tëra policia, gjegjësisht organet e përndjekjes e kanë keqtrajtuar me hetime të paramenduara për ndërtim pa leje për një kat të shtëpisë i cili është ndërtuar në mënyrë legale, ashtu sikur në fakt, tërë shtëpia. E kanë keqtrajtuar për prejardhjen e pronës, dhe kur e ka dëshmuar edhe për denarin e fundit për shtëpinë familjare se është nga mjetet që ia ka dërguar babai i tij që ka punuar jashtë vendit, kanë hequr dorë nga përndjekja kundër tij.
“Kanë montuar procedurë kundër meje, në të cilën thoshin se shtëpinë e kam ndërtuar nga funksioni i kryetarit të komunës. Kanë kërkuar, kanë gërryer, por gjithçka ishte pastër si kristali. Në fund ua hodha dokumentet në fytyrë”, dëshmoi Osmani për atë se nëpër çfarë ka kaluar derisa ia kanë dëgjuar bisedat e telefonit të tij dhe të familjarëve tjerë.
Ai paralajmëroi se për dëmin që e kanë duruar dhe e kanë paguar me shëndet gruaja dhe vajza e tij, do të kërkojë dëmshpërblim.
Për përgjimin masiv dhe për shkatërrimin e paligjshëm të tre pajisjeve për përgjim në DSK, të akuzuar janë ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, ish ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, të arratisurit Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkoski, shefi i Kabinetit të Mijallkovit, Toni Jakimovski dhe gjashtë të punësuar në DSK.