Pas rritjes së shfrenuar të numrit të rasteve të fruthit, si dhe një numri të madh të fëmijëve të infektuar të shtruar në spital, Ministria e Shëndetësisë së Rumanisë ka shpallur një epidemi të fruthit në nivel kombëtar.
Për momentin janë regjistruar pothuajse 2000 raste në 29 qarqe.
Si pasojë e regjimit epidemik, do të vaksinohen fëmijët e moshës 9 deri në 11 muaj, krahasuar me orarin normal të vaksinimit kundër fruthit 12-mujor dhe 5-7-vjeçar, shkruan romania-insider. Të pavaksinuarit ose me një vaksinim jo të plotë do të jenë gjithashtu në shënjestër të fushatës së re.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë do të zhvillojë një fushatë informuese për prindërit, së bashku me mjekët e familjes, për respektimin më të mirë të programit të vaksinimit.
Fruthi është një sëmundje infektive e cila transmetohet lehtësisht, sidomos te fëmijët e pavaksinuar dhe ndonjëherë evolucioni është serioz dhe mund të shfaqen komplikime, paralajmërojnë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.
Mbulimi i vaksinimit me dozën e parë, në nivel kombëtar, është 78%, dhe me dozën e dytë, 62% e fëmijëve të kualifikuar, duke qenë në një tendencë rënëse prej më shumë se 10 vitesh.