Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov, tha se 1026 ushtarë ukrainas janë dorëzuar në Mariupol.
“Si rezultat i operacioneve të suksesshme të njësive ushtarake ruse dhe forcave të të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut në zonën e fabrikës metalurgjike Ilyich në Mariupol, 1026 ushtarë ukrainas vullnetarisht ulën armët dhe u dorëzuan. Midis ushtarëve janë 162 oficerë dhe 47 ushtare femra”, tha Konashenkov, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai pretendon se për 151 ushtarë ukrainas të plagosur është siguruar një ambulancë dhe se ata janë dërguar për mjekim në Spitalin e Mariupolit.
Konashenkov tha se gjatë natës u shkatërruan dy depo të mëdha raketash dhe artilerie të ushtrisë ukrainase pranë vendbanimeve Sadovoe dhe Chudnov.
Duke pretenduar se forcat ajrore ruse kanë shkatërruar 46 objekte ushtarake që i përkisnin Ukrainës, Konashenkov tha se njësitë raketore dhe artilerike goditën 693 objektiva.
“Deri më tani janë shkatërruar 130 avionë, 103 helikopterë, 244 sisteme raketore të mbrojtjes ajrore, 447 dronë, 2169 tanke dhe automjete të blinduara, 2000 automjete speciale ushtarake që i përkasin ushtrisë ukrainase”, shtoi Konashenkov./FolDrejt/