Debat i nxehtë është zhvilluar sot në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me hidrocentralet dhe gurthyesit.
Gjatë raportimit të tij para këtij komisioni, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se në komunën e Shtërpcës operojnë katër hidrocentrale.
“Në komunën e Shtërpcës operon kompania ‘Matkos’ që ka dokumente valide për 4 hidrocentrale. Hidrocentrali i Sharrit që ka filluar punimet, hidrocentrali Brezovica që është në përfundim e sipër dhe i njëjti ka aplikuar për leje mjedisore, është hidrocentrali Shtërpca që posedon dokumente. Secili prej këtyre hidrocentraleve iu nënshtrohet lejeve në komunë të Shtërpcës. Jemi në një fazë ku unë nuk mundem të ndërpresë punën, pasi punëkryesit kërkojnë të paguajmë dëmshpërblim nëse i ndalim dhe këtë duhet ta paguajë dikush”, tha ai.
Përfaqësuesi i fshatit Bitinje, Agron Rushiti, tha se toka e tyre varet prej lumit Lepenc, për çka tha se si shkak i hidrocentralit, në këtë gjendje nuk ka më ujë të pijshëm. Ai madje tha se nuk ka pasur as debat publike për këtë çështje.
“Qe sa uji është tash që nuk ka hyrë në gypa, e kanë marrë ujin, e kanë fut në gypa. Kanë nisur të ngordhin peshqit. Me çfarë ligji, nuk e di unë… Në këtë formë ne nuk mundemi të kemi ujë të pijshëm. Toka jonë është e varur prej Lepencit dhe të vijmë në këtë gjendje, kjo nuk është në rregull. Nuk ka ujë këtu ministër, ka pasur aty prej kahmos, Këtë që jeni duke e bërë, nuk e ka bërë askush. 100 hektarë i kemi mjedra, ne pa ujë nuk kemi jetë”, tha ai.
Ndërsa, ministri Matoshi tha se në këtë gjendje, vetëm parlamenti mund të marrë një vendim.
“Më vjen keq çfarë ka ndodhur me çështjen e pronës. Ju po thoni që nuk ka pasur debate publike. Në rast se nuk ka pasur debate publike, ky është një mashtrim. Nëse ka dokumente që ka pasur debate publike, atëherë është tjetër çka. Në situatën në të cilën jemi, vetëm parlamenti mund ta ndërpresë këtë çështje. Unë nuk e kam fuqinë si ministër, sepse ka dokumentacione”, tha Matoshi.
Anëtari i komisionit, Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se banorët në këtë anë kanë qenë të kërcënuar.
“Në takimin që kam pasur në fshat, në biseda me fshatar kam vërejtur hezitim që të shkojmë te vendi atje, sepse janë ndjerë të kërcënuar. Kur këta kanë protestuar, janë arrestuar. Policia ka mbrojtur hidrocentralin, i cili po varros lumin. Dërgoni inspektorët e juaj sa më shpejt dhe zbatoni ligjin. Këta banorë kanë të drejtë të veprojnë”, tha Aliu.
Kryetari i komisionit, Muharrem Nitaj tha se duhet të krijohet një komision hetimor në lidhje me këtë, që të trajtohet si problematikë.
“Mua më duket shumë e dyshimtë, mirëpo atje duket që diçka ‘mban erë’. Ka atje persona me premisa të banditizmit”, tha Nitaj.
Anëtari i komisionit nga radhët e PSD-së, Salih Salihu, tha se si shkak i kësaj gjendjeje, vërehet që ministritë nuk kanë bashkëpunim mes vete.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka pyetur se kompetencë e kujt është që të vendosë për ndërprerjen e punimeve, ndërsa ministri Matoshi theksoi se kjo është kompetencë e deputetëve.
“Merrni vendim si për lojërat e fatit, edhe ne e zbatojmë”, porositi ministri Matoshi.