Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të bisedojnë në 10 janar në Gjenevë për sigurinë në Europën Lindore. Një vendim që nuk i ka pëlqyer aspak përfaqësuesit të lartë për politika të jashtme dhe siguri në BE, Joseph Borell.
Ai u shpreh se nëse Moska dëshiron të flasë për arkitekturën e sigurisë në Europë atëherë kjo nuk është një çështje që i përket vetëm Amerikës dhe Rusisë. Borel theksoi se BE duhet të jetë e pranishme në këto negociata, se vetëm në këtë mënyrë do të kishin kuptim. Sekretari amerikan i mbrojtjes, Loyd Austin ndërkohë urdhëroi anijet amerikane të luftës të qëndrojnë në Mesdhe në një kohë që tensionet mes Ukrainës dhe Rusisë përshkallëzohen.
Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken, gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainaz Zelenski, shprehu dhe njëherë mbështetjen e SHBA-së ndaj Kievit, duke iu referuar përqendrimit të forcave ushtarake ruse në kufi. Departamenti amerikan i shtetit konfirmoi se Blinken dhe Zelenski folën për përpjekjet në zgjidhjen në mënyrë paqësore të konfliktit në Ukrainën lindore dhe për një dialog në të ardhmen me Rusinë./abcnews.al