Rusia do t’i dorëzojë Indisë sistemet anti-ajrore S-400 brenda kornizës kohore të rënë dakord, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar një zyrtar të lartë.
India është importuesi më i madh i armëve në botë dhe ende përdor kryesisht teknologjinë ruse për armë, por zyrtarët kanë shprehur shqetësimin se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të vonojë dërgesat.
“Prodhimi i sistemeve raketore anti-ajrore S-400 Triumf po kryhet sipas planit,” tha Dmitry Shugaev, kreu i Shërbimit Federal të Rusisë për Bashkëpunimin Ushtarak-Teknik.
“Dorëzimi i pajisjeve të sistemit S-400 Triumf pritet të përfundojë brenda kornizës kohore të rënë dakord”.
India bleu njësitë e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 Triumf 2018 për 5.4 miliardë dollarë. Tre sisteme janë dorëzuar dhe dy të tjera janë ende në pritje, raporton Al Jazeera.
Në mars, Forcat Ajrore Indiane thanë se lufta në Ukrainë po pengonte furnizimet jetike të mbrojtjes nga Rusia.