“Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën. Rusia e humbi të gjithë botën dhe tashmë nuk pranohet në asnjë vend”, tha presidenti ukrainas, Zelenskyy.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një video-mesazh të publikuar nga llogaria Telegram, Zelenskyy bëri deklarata lidhur me luftën që Rusia ka filluar kundër Ukrainës që nga 24 shkurti.
Ai theksoi se ushtria ruse ka kryer akte “terroriste” ndaj civilëve në rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës. “Pushtuesit ndjekin këdo që ka lidhje me ushtrinë ukrainase ose agjencitë qeveritare duke menduar se kjo do ta bëjë më të lehtë që ata të kontrollojnë rajonin. Ata po bëjnë një gabim të madh dhe po mashtrojnë veten e tyre”, tha Zelenskyy.
Duke nënvizuar se populli i Ukrainës nuk e merr seriozisht Rusinë, Zelenskyy vuri në dukje se “Rusia e ka humbur përgjithmonë Ukrainën. Rusia e humbi të gjithë botën dhe tashmë nuk pranohet në asnjë vend”.
– “Në Ukrainë janë çliruar nga pushtimi 918 vendbanime”
Në fjalën e tij, Zelenskyy vuri theksin mbi rëndësinë e sigurimit të paqes dhe shtoi se ushtria e Ukrainës e ka përmbushur detyrën e saj për këtë çështje.
Pasi ndau informacionin se në Ukrainë janë çliruar nga pushtimi 918 vendbanime, Zelenskyy tha se po bëjnë më të mundurën e tyre për shpëtimin e civilëve në qytetin Mariupol.
– “Duhet të hiqet dorë nga nafta ruse”
Duke tërhequr vëmendjen në sanksionet kundër Rusisë, Zelenskyy tha: “Kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur makinerinë ushtarake ruse. Në sanksionet që do të zbatohen në të ardhmen kundër Rusisë, duhet të përfshihet edhe heqja dorë nga nafta ruse. Bota duhet të vendosë se paraja që jepet për energjinë ruse prish demokracinë”.
Më tej presidenti ukrainas theksoi se sistemi financiar i Rusisë duhet të bllokohet plotësisht dhe se kjo mund t‘i japë fund luftës./FolDrejt/