Sipas mediave ndërkombëtare, gjoja në kuadër të stërvitjeve të shumta ushtarake, Rusia ka dërguar anije luftarake në Detin e Zi. Po ashtu disa avionë luftarakë Su-35 i ka stacionuar në Bjellorusinë fqinje.
Ministria e Mbrojtjes së Federatës Ruse njoftoi se më shumë se 20 anije të marinës ruse lundruan në Detin e Zi në vendet e përcaktuara për stërvitjen ushtarake.
Paralelisht me këtë, ministria njoftoi se një numër i caktuar avionësh rusë Su-35 fluturuan në Bjellorusi për të marrë pjesë në stërvitjen ushtarake “Vendosmëria e Aleatëve 2022”. Stërvitja do të fillojë më 10 shkurt, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se në fund të janarit dhe gjatë muajit shkurt, forcat ruse do të raportonin një sërë stërvitjesh ushtarake për të kontrolluar dhe përmirësuar gatishmërinë ushtarake.
Stërvitjet ushtarake ruse u organizuan në mes të tensioneve të larta me Ukrainën fqinje dhe në mes të akuzave nga Perëndimi se Rusia po grumbullon trupa në kufirin ukrainas. Aleatët perëndimorë kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra në rast të një sulmi ndaj Ukrainës./FolDrejt/