Delegacionet ruse dhe ukrainase do të takohen nesër e mërkurë ( 13 qershor) në Stamboll për të diskutuar rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas që është bllokuar në portin e Detit të Zi, njoftoi sot ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar.
“Delegacionet ushtarake nga ministritë e Mbrojtjes së Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës si edhe një delegacion nga Kombet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime nesër në Stamboll mbi shpërndarjen e sigurt të tregjeve ndërkombëtare të grurit që ka mbetur i bllokuar në portet e Ukrainës”, tha ministri turk në një deklaratë për shtyp.
Ky takim katërpalësh do të zhvillohet në mes të një rritjeje globale të çmimeve të ushqimeve, pjesërisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të drithërave, por eksportet e saj janë bllokuar në Detin e Zi nga anijet luftarake ruse, ndërsa minat e vendosura nga Kievi përbëjnë gjithashtu problem.
Anëtari i NATO-s, Turqia ka shtuar përpjekjet diplomatike prej javësh për të rifilluar dërgesat e grurit.
Sipas zyrtarëve turq, 20 anije tregtare janë duke pritur aktualisht në Detin e Zi dhe mund të ngarkohen shpejt me grurë ukrainas.
Një ditë më herët, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, diskutoi për drithërat ukrainase gjatë bisedave të ndara telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ukraina dhe aleatët e saj po kërkojnë që të rihapen portet e saj në Detin e Zi, që sipas Kievit janë mbyllur për shkak të bllokadës ruse.
Shtetet perëndimore kanë rritur kërkesat e tyre për rihapjen e porteve dhe lejimin e dërgesave të drithit, veçanërisht në shtetet e Lindjes së Mesdhe dhe Afrikës të cilat varen nga drithi ukrainas për të ushqyer popullatën e tyre.
Erdogan i tha Putinit se është koha për të ndërmarrë veprime sa i përket një plani të OKB-së për krijimin e korridoreve të sigurta në Detin e Zi për eksportet e drithërave. Ai po ashtu përsëriti qëndrimin se duhet të negociohet dhënia fund e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha përmes Twitterit se ai e vlerëson ndihmën e Erdoganit sa i përket rinisjes së eksporteve të drithërave dhe shtoi se Rusia duhet të ndalojë së marri drithin e Ukrainës nga territoret e pushtuara. /abcnews.al/