Rusia i ka bërë thirrje Izraelit që të ndërpresë sulmet në Siri, duke theksuar se ato janë “kategorikisht të papranueshme dhe të palejueshme”.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Zakharova, dënoi ashpër veprimet izraelite, duke theksuar se ato shkelin të drejtën ndërkombëtare, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“I bëjmë thirrje palës izraelite që t’i japë fund kësaj praktike të mbrapshtë dhe të rrezikshme. Konsiderojmë të nevojshme të theksojmë se granatimet izraelite të territorit sirian shkelin parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Dënojmë fuqishëm veprime të tilla të papërgjegjshme, të cilat shumëfishojnë numrin e viktimave midis ushtarëve dhe civilëve dhe paraqesin një kërcënim real të përshkallëzimit të pakontrolluar të tensioneve në të gjithë rajonin”, tha Zaharova.
Ajo tha se sulmet izraelite dobësojnë potencialin luftarak të forcave të armatosura siriane dhe ndikojnë negativisht në përpjekjet për të luftuar terrorizmin në territorin sirian.
Një burim i paidentifikuar i ushtrisë siriane tha më herët se Izraeli ka goditur një zonë pranë aeroportit ndërkombëtar në jug të kryeqytetit Damask, duke vrarë katër ushtarë sirianë dhe duke plagosur tre të tjerë.
Mediat raportuan se janë vrarë edhe pesë luftëtarë të lëvizjes shiite Hezbollah, të cilët po luftojnë në anën e ushtrisë siriane kundër grupeve terroriste.
Ky është sulmi i nëntë ajror izraelit në Siri që nga fillimi i vitit./FolDrejt/