Rusia ka sekuestruar orët luksoze Audemars Piguet me vlerë miliona dollarëshe, si një kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura nga Zvicra.
Agjentët e FSB-së ruse, raportohet se kanë sekuestruar orët luksoze nga dyqani i firmës zvicerane në Moskë, raporton gazeta zvicerane NZZ am Sonntag, duke cituar burime nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Zvicra, shtëpia e disa prej orëve më të famshme në botë, braktisi qëndrimin neutral duke iu bashkuar qëndrimit të Bashkimit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj pushtimit të Ukrainës.
Autoritetet ruse përmendën “shkeljet doganore” si arsyen e sekuestrimit të orëve Audemars Piguet, megjithatë zyrtarët e departamentit të punëve të jashtme zvicerane thanë se masa ishte “me shumë mundësi një veprim arbitrar në përgjigje të sanksioneve”.
Prodhuesi zviceran i orës ka ndaluar eksportet dhe operacionet e shitjes me pakicë në Rusi, tha një zëdhënës i kompanisë për Bloomberg Neës më 8 mars.
Biznesi familjar që ka mbi 150 vjet në treg, Audemars Piguet është një nga tre markat më të mëdha zvicerane të orëve, së bashku me Patek Philippe dhe Rolex.