Rusia i ka bërë thirrje qeverisë së Filipineve që të respektojë marrëveshjen e nënshkruar për blerjen e 16 helikopterëve për ngarkesa të rënda ushtarake të cilën administrata e ish-presidentit Rodrigo Duterte e anuloi me shqetësimin për sanksionet e mundshme të SHBA-së.
Ambasadori i Rusisë në Manila, Marat Pavlov, tha se qeveria e Filipineve nuk e ka informuar Rusinë zyrtarisht për vendimin e saj për të anuluar marrëveshjen dhe se një kompani ruse ka vazhduar prodhimin e helikopterit Mi-17 pasi Filipinet kanë kryer pagesën e parë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Pavlov po ashtu njoftoi se pilotët që do të përdorin helikopterët u janë nënshtruar trajnimit rus, si dhe shtoi se një prej helikopterëve është gati, por se qeveria e Manilas nuk ka pranuar dorëzimin në muajin qershor.
“Ne jemi të gatshëm të përmbushim të gjitha angazhimet tona si një partner i besueshëm në fushën e bashkëpunimit ushtarak teknik të palës filipinase dhe besojmë se kjo do të bëhet edhe nga ana e Filipineve”, tha Pavlov.
Lidhur me çështjen, nga qeveria filipinase nën drejtimin e Ferdinand Marcos Jr. nuk është bërë ndonjë deklaratë, por nga Ministria e Mbrojtjes pas marrjes së vendimit për t’i dhënë fund marrëveshjes me Rusinë për helikopterët, u njoftua se do të zhvillohen punime për kthimin e pagesës së bërë ndaj kompanisë ruse.
Ish-ministri i Mbrojtjes i Filipineve, Delfin Lorenzana, për herë të parë konfirmoi në korrik vendimin e qeverisë për t‘i dhënë fund marrëveshjes së nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar për blerjen e helikopterëve rusë./FolDrejt/