Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë deklaroi se të gjitha mosmarrëveshjet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë duhet të zgjidhen me mjete politike dhe diplomatike.
Në një deklaratë me shkrim të ministrisë theksohet se janë thellësisht të shqetësuar për përkeqësimin e papritur të situatës në zona të caktuara të kufirit Azerbajxhan-Armeni, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratë, ku në përputhje me deklaratat trepalëshe të nënshkruara nga krerët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë në nëntor 2020, janar dhe nëntor të 2021 iu bë thirrje palëve të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, të veprojnë me përmbajtje dhe t’i përmbahen rreptësisht armëpushimit, gjithashtu thuhet se Moska është në kontakt të ngushtë me Bakun dhe Jerevanin.
Po ashtu, në deklaratë u theksua se kërkesa e bërë nga qeveria e Armenisë për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës në përputhje me marrëveshjet ekzistuese dypalëshe dhe përmes Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) është pranuar dhe se marrëveshja e arritur si rezultat i ndërmjetësimit të Rusisë për armëpushimin e 13 shtatorit pritet të zbatohet plotësisht.
“Ashtu si më parë, ne vijojmë me idenë se të gjitha mosmarrëveshjet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit duhet të zgjidhen ekskluzivisht përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu theksohet se çështjet që lidhen me kufirin duhet të zgjidhen në kuadër të punës së komisionit për përcaktimin e kufirit Azerbajxhan-Armeni, të cilit Rusia i ofron ndihmë këshillimore./FolDrejt/