Moska tha se spekulime të tilla vijnë nga Perëndimi, jo për herë të parë, dhe i quajti ato “gënjeshtër e qëllimshme”
Rusia nuk ka synime të përdorë armë bërthamore në Ukrainë, tha sot zëvendëszëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të vendit, Alexey Zaytsev, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
I pyetur në lidhje me pretendimet e mediave perëndimore për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore në luftën Rusi-Ukrainë, Zaytsev tha se spekulime të tilla vijnë nga Perëndimi, jo për herë të parë, dhe i quajti ato “gënjeshtër e qëllimshme”.
“Na është dashur vazhdimisht të përgënjeshtrojmë insinuatat për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore nga Rusia në një operacion special ushtarak. Kjo është gënjeshtër e qëllimshme”, deklaroi ai.
“Rusia i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit se nuk mund të ketë fitues në një luftë bërthamore dhe ajo nuk duhet të niset”, shtoi Zaytsev.
Ai kujtoi se shtetet bërthamore, me iniciativën e Rusisë, kanë riafirmuar respektimin e parimit të pamundësisë për të fituar një luftë bërthamore.
“Vitin e kaluar, ishte Rusia ajo që ishte në gjendje të bindte Shtetet e Bashkuara, dhe më pas të gjithë pesëshen bërthamore, të konfirmonin përkushtimin e tyre ndaj këtij parimi”, tha Zaytsev.
Diplomati rus përmendi edhe një herë kushtet e përcaktuara nga doktrina ushtarake ruse për përdorimin e armëve bërthamore, në përgjigje të përdorimit të armëve bërthamore dhe llojeve të tjera të shkatërrimit në masë kundër Moskës ose aleatëve të saj, ose në rast agresioni kundër Rusisë me përdorimin e armëve konvencionale kur kërcënohet vetë ekzistenca e shtetit.
Por ai tha se ka vënë re se spekulime të tilla mund të nënkuptojnë se Perëndimi ndihmon Ukrainën të përgatisë provokime bërthamore në Ukrainë për të akuzuar Rusinë për këtë.
“Mund të pritet çdo provokim nga Perëndimi dhe Ukraina. Ne duhet të jemi të përgatitur për çdo zhvillim të ngjarjeve në fushën mediatike dhe drejtpërdrejt në terren”, deklaroi ai.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 3.280 civilë janë vrarë dhe 3.451 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën kundër vendit më 24 shkurt. Shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Më shumë se 5,7 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, kurse rreth 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit, tregojnë të dhënat nga agjencia e OKB-së për refugjatët./FolDrejt/