Organizata e Kombeve të Bashkuara i bën thirrje Rusisë dhe Ukrainës të garantojnë kalimin e sigurt të civilëve që duan t’u shpëtojnë luftimeve dhe të lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare në vendet më të prekura nga luftimet.
OKB dhe partnerët kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e rrezikshme e sigurisë e ka bërë të vështire hyrjen në zona të caktuara. Deklarata vjen ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën për pengimin e evakuimit të sigurt të civilëve.
Ambasadori i Ukrainës në OKB akuzoi Moskën se po bombardonte korridoret humanitare, por ai i Moskës replikoi se ishte Kievi ai që po pamundësonte kalimin e sigurt, transmeton Fol Drejt.
Pas tre armëpushimeve të dështuara Moska njoftoi të martën një tjetër pauzë të luftimeve dhe tha se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare në Ukrainë.
Siç mësohet, në Sumi, ku të hënën u vranë 9 civilë, evakuimi ka nisur dhe qytetarët po zhvendosen drejt qytetit ukrainas të Poltavës.
Një ditë më parë, Kievi refuzoi korridoret e propozuara, pasi ato i dërgonin qytetarët në Rusi dhe Bjellorusi.