Akademia Ruse e Filmit ka vendosur të mos dërgojë një film rus për të konkurruar për Oskarin e Filmit më të Mirë të Huaj 2023.
Asnjë film rus nuk do të nominohet për Oscar këtë vit, njoftoi Akademia Ruse e Filmit dje, të hënën mbrëma , pasi SHBA dhe Rusia kalojnë një nga krizat më të këqija në historinë e tyre me konfliktin në Ukrainë, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Në një deklaratë, Akademia thotë se ka vendosur të mos përzgjedhë dhe dërgojë një film rus për të konkurruar për Oscar 2023 për filmin më të mirë të huaj.
Kreu i komitetit përgjegjës për dërgimin e filmave artistikë rusë në Oscar, Pavel Chukhrai, denoncoi këtë mëngjes një vendim që ishte marrë “pas shpine” dhe njoftoi dorëheqjen e tij.
Më herët dje, të hënën, regjisori Nikita Mikhalkov, një autoritet i madh në kinemanë ruse dhe një mbështetës i flaktë i regjimit të presidentit Vladimir Putin , e kishte gjykuar të padobishme pjesëmarrjen ruse në Oscar. “Më duket se zgjedhja e një filmi që do të përfaqësojë Rusinë në një vend që, në fakt, aktualisht po mohon ekzistencën e Rusisë, thjesht nuk ka kuptim”, tha ai për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.
Mikhalkov kujtoi se ai kishte propozuar krijimin e një ekuivalenti “euroaziatik” të Oscars të kinemasë amerikane dhe se plani i tij është në fazën e zhvillimit.
I ardhur nga një dinasti artistësh të famshëm në Rusi, Nikita Mikhalkov , 76 vjeç, u nderua vetë në vitin 1995 me Oskarin për filmin më të mirë të huaj për filmin e tij “Dielli i rremë” për diktaturën staliniste./FolDrejt/