Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro mbështeti deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin në lidhje me Ukrainën.
Në deklaratën për televizionin shtetëror, Maduro tha se miqësia me popullin rus do të zgjasë përgjithmonë. “Venezuela ofron të gjithë mbështetjen e saj për Putinin dhe Rusinë. Ne do të jemi gjithnjë e më shumë aleatë për të mbrojtur kauzat e guximshme dhe të drejta të botës”, tha ai.
Maduro theksoi se “SHBA dhe NATO synojnë t’i japin fund Rusisë me mjete ushtarake” dhe se Rusia mbron paqen në rajon.
Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin rus, Yuri Borisov në kryeqytetin Karacas javën e kaluar, Maduro tha: “Venezuela është gjithmonë me Putinin, me Rusinë, me popullin e Rusisë”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
– Putin njohu rajonet e separatistëve pro-rusë në Ukrainë
Pavarësisht qeverisë së Kievit në lindje të Ukrainës në vitin 2014, separatistët pro-rusë formuan dy të ashtuquajturat qeveri në territorin e Ukrainës, Republikën Popullore të Donetskut dhe Republikën Popullore të Luhanskut.
Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, Duma e Shtetit, miratoi vendimin më 15 shkurt për t’i bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin të njohë të ashtuquajturat rajone të krijuara nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe e dërgoi vendimin në Kremlin.
Putin nënshkroi një ditë më parë dekretin për njohjen e të ashtuquajturës qeveri të separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe udhëzoi Forcat e Armatosura Ruse të ruajnë paqen në të ashtuquajturat republika popullore Donetsk dhe Luhansk.
Këshilli i Federatës, Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, miratoi kërkesën e Putinit që ushtria të operojë jashtë territorit të Rusisë.