Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu deklaroi se 87 mijë nga 300 mijë personat e mobilizuar në Rusi janë dërguar tashmë në zonat e luftës në Ukrainë.
Gjatë takimit me shefat e ushtrisë në Moskë, Shoigu tha se rekrutët, të cilët u paraqitën për shërbimin ushtarak në kuadër të fushatës së rekrutimit dyvjeçar të Rusisë, nuk do të marrin pjesë në “operacionin special ushtarak” të Rusisë në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Pas trajnimit shtesë dhe koordinimit luftarak, në zonat e luftimit u dërguan 87 mijë persona. Në poligone është duke përfunduar koordinimi luftarak i njësive të formuara. Përpjekjet kryesore janë fokusuar në stërvitjen në terren, aftësinë për të përdorur mjetet e komunikimit, navigimit dhe vëzhgimit. Për këtë angazhim janë të përfshirë më shumë se 3.000 instruktorë, të cilët kanë fituar përvojë luftarake gjatë operacionit special ushtarak”, tha ai.
Sipas tij, të gjithë ushtarët që kanë kryer shërbimin ushtarak pas rekrutimit do të dërgohen në shtëpi.
Shoigu theksoi se në anën e Ukrainës vazhdojnë të marrin pjesë në luftë mercenarë të huaj dhe se në dy javët e fundit, rreth 200 prej tyre janë vrarë në luftime në zonat e konfliktit.
Ai theksoi se sulmet e përditshme ajrore të Rusisë zvogëlojnë potencialin ushtarak të Ukrainës, pasi ato godasin “infrastrukturën kritike të armikut”.
Sipas Shoigu, Kievi po përgjigjet me sulme të vazhdueshme në termocentralin bërthamor në Zaporozhye, pikat e evakuimit dhe pikat e shpërndarjes së ndihmave humanitare.
Ministria e Mbrojtjes shpalli fillimin e rekrutimit ushtarak të vjeshtës në Rusi, kurse këtë vit 120 mijë njerëz duhet të regjistrohen në ushtri.
Rusia më parë kreu një mobilizim të pjesshëm ushtarak, në kuadër të të cilit u pranuan 300 mijë rekrutë në ushtri.
Të premten, Shoigu tha se mobilizimi i pjesshëm ushtarak kishte përfunduar ndërkaq të hënën, zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov, tha se të gjitha aktivitetet e mobilizimit kanë përfunduar, pra komisariatet ushtarake nuk do të lëshojnë dhe dërgojnë më njoftime dhe se iu kthyen punës rutinë./FolDrejt/