Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka komentuar gjendjen e fundit të krijuar me barrikadat në veri të Kosovës, duke mos e përjashtuar një konflikt në një shkallë më të gjerë.
Siç njofton agjencia e lajmeve ruse TASS, Zakharova ka thënë se një konflikt i vërtetë në shkallë të gjerë mund të jetë shumë afër.
“Përkeqësimi i fundit që ka shpërthyer në atë krahinë tregon bindshëm se çdo largim nga korniza aktuale rregullative për Kosovën thjesht i bën radikalët e Prishtinës më sfidues. Një konflikt i vërtetë në shkallë të gjerë mund të jetë shumë afër”, ka thënë Zakharova.
“Një formë e tillë legjitime e rezistencës paqësore, jo të dhunshme ndaj akteve të rregullta të frikësimit dhe diskriminimit në baza etnike ka zemëruar ‘autoritetet’ shqiptare të Kosovës. Janë dhënë kërcënime për të çmontuar barrikadat me forcë duke përdorur pajisje të rënda. Listat me serbë të akuzuar për ‘terrorizëm’ qarkullojnë në domenin publik. Në këto lista përmenden emrat e anëtarëve të familjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq”, ka shtuar ajo tutje.
Zakharova tutje ka thënë se përpjekjet për të minuar ose injoruar Rezolutën themelore të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 janë të papranueshme.
“Bashkimi Evropian me qëllim prish marrëveshjet përkatëse të Brukselit të vitit 2013, mbyll një sy ndaj mosbindjes shumëvjeçare nga ana e kosovarëve, të cilët vazhdojnë të gëzojnë favore të ndryshme, si liberalizimi i rregullave të vizave apo pëlqimi dashamirës për të shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, thuhet tutje nga Zakharova./FolDrejt/