Një deputet ukrainas me origjinë nga Mariupoli është shprehur për mediat se Rusia po përpiqet që ta “ngordhë urie” qytetin e rrethuar.
Dmytro Gurin, deputet i Kievit tha se kujtimet e tij të fëmijërisë janë shkatërruar nga forcat e Kremlinit ndërsa mijëra banorë në portin e Detit të Zi janë duke jetuar pa ujë, ngrohje dhe energji elektrike.
“Është e vështirë të shohësh se gjithçka është shkatërruar, shkolla ime, universiteti, lagjja, gjithçka. Vitet e së shkuarës sime janë shkatërruar. Për mua është thjesht mërzi dhe do të mësohem me të, por për 300,000 njerëzit që jetojnë ende në Mariupol është shumë më e vështirë. Ata jetojnë pa ngrohje, energji elektrike, ujë dhe janë kushtet mesjetare ndërkohë që bombardimet dhe të shtënat në Mariupol nuk pushojnë kurrë.”
Deputeti ukrainas tha se nga ajo që po ndodh në qytetin e rrethuar mund të shihet qartë se Rusia do të mbjellë uri vetëm për të forcuar pozicionin e saj në proceset diplomatike.
Mariupoli, që ndodhet në Ukrainën juglindore, është përballur me peshën kryesore të agresionit rus që kur trupat pushtuan vendin më 24 shkurt. Nëse qyteti do të bjerë, kjo do t’i lejonte Moskës të formonte një korridor tokësor midis rajoneve lindore të Donetsk dhe Luhansk dhe Krimesë, të cilat tashmë janë nën kontrollin rus. /FolDrejt/