Refuzimi i SHBA-së i kërkesave kryesore të Rusisë për të zgjidhur krizën mbi Ukrainën la “pak terren për optimizëm”, tha Kremlini të enjten, por shtoi se dialogu ishte ende i mundur.
Një reagim i tillë, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, erdhi pasi SHBA-ja dhe aleanca perëndimore kundërshtuan me vendosmëri çdo lëshim për kërkesat kryesore të Moskës të mërkurën, duke refuzuar të ndalojë përgjithmonë Ukrainën të bashkohet me NATO-n dhe duke thënë se dislokimet aleate të trupave dhe pajisjeve ushtarake në Evropën Lindore janë të panegociueshme.
Dhe sipas Euronews, të gjithë sytë janë tani tek presidenti Vladimir Putin, i cili do të vendosë se si do të përgjigjet Rusia mes frikës se Evropa mund të zhytet sërish në luftë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se përgjigja nga SHBA – dhe një e ngjashme nga NATO – la “pak terren për optimizëm”.
Por ai shtoi se “ka gjithmonë perspektiva për të vazhduar një dialog, është në interesin e nesh dhe të amerikanëve”.
Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se përgjigja e SHBA përmban disa elementë që mund të çojnë në “fillimin e një bisede serioze për çështje dytësore”, por theksoi se “dokumenti nuk përmban asnjë përgjigje pozitive për çështjen kryesore”.
Kërkesat kryesore nga Moska janë që NATO të mos zgjerohet dhe që aleanca të përmbahet nga vendosja e armëve që mund të kërcënojnë Rusinë.
Lavrov tha se zyrtarët e lartë do t’i paraqesin propozimet e tyre Putinit dhe Peskov tha se reagimi rus do të vijë së shpejti.
Peskov shtoi se Putin dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden do të vendosin nëse duhet të kenë një tjetër bisedë pas dy telefonatave muajin e kaluar.
Ndryshe, Sekretari amerikan i Shtetit tha se Uashingtoni nuk kishte bërë asnjë lëshim ndaj kërkesave kryesore ruse mbi Ukrainën dhe NATO-n në një përgjigje me shkrim dërguar Moskës të mërkurën. /