Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergey Shoygu, ka deklaruar se operacioni ushtarak rus në Ukrainë do të vazhdojë derisa të përmbushen plotësisht detyrat e vendosura nga presidenti Vladimir Putin.
Në një takim me shefat ushtarak në Moskë, Shoygu tha se prioritetet janë ruajtja e jetëve dhe shëndetit të ushtrisë ruse, si dhe përjashtimi i kërcënimeve ndaj civilëve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ushtria ruse nuk do të ndalet pas çlirimit të plotë të territorit të Republikës Popullore të Luhanskut. Operacioni ushtarak special do të vazhdojë derisa të përmbushen detyrat e vendosura nga komandanti suprem”, tha ai.
Perëndimi vazhdon me dërgesat e armëve në Ukrainë, të cilat, sipas vlerësimit të shefit të mbrojtjes ruse, bëhen për të “zgjatur konfliktin”.
Shoygu gjithashtu theksoi se mbi 28 tonë dërgesa ushtarake janë dorëzuar në vend që nga shpërthimi i luftës më 24 shkurt, ndërsa një pjesë e tyre shkuan në tregun e zi dhe u rishitën në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, tha Shoygu, numri i mercenarëve të huaj në Ukrainë është zvogëluar, disa prej të cilëve humbën jetën dhe të tjerë që u larguan nga vendi.
“Vetëm në dhjetë ditët e fundit 170 mercenarë u vranë, 99 refuzuan të marrin pjesë në armiqësi dhe u larguan nga territori ukrainas”, theksoi ai.
Sipas tij, ushtria ruse, përveç kryerjes së operacioneve ushtarake, merr pjesë edhe në aktivitete humanitare, duke ofruar mbështetje për civilët e “qyteteve të çliruara” dhe duke siguruar jetë paqësore në territoret e kontrolluara nga trupat ruse. Përveç kësaj, shtoi ai, ata ruajnë sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Azov.
“Ne kemi krijuar dy korridore humanitare për lëvizjen e anijeve civile në Detin e Zi dhe Detin Azov. Rreziku i minave në zonën ujore të portit të qytetit Mariupol është eliminuar plotësisht”, tha Shoygu.
Gjithashtu, tha ai, aktivitete në shkallë të gjerë po kryhen në rajonet Luhansk dhe Donetsk të Ukrainës për pastrimin e minave. Deri më tani, mbi 3.700 hektarë tokë janë kontrolluar për mina, ndërsa mbi 46.300 mjete shpërthyese janë gjetur dhe janë çaktivizuar.
Gati 4.900 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës me Rusinë më 24 shkurt.
Sipas shifrave të Kombeve të Bashkuara (OKB), mbi 15 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, përfshirë mbi 8,4 milionë që kanë ikur jashtë vendit./FolDrejt/