Sipas gjurmuesit të ngarkesave të energjisë ‘Vortexa’, Rusia është bërë furnizuesi më i madh i naftës në Indi, duke tejkaluar Arabinë Saudite dhe Irakun, pasi rafinerët blejnë naftën bruto ruse të ofruar me zbritje të mëdha pas sanksioneve të Bashkimit Evropian (BE) që kanë në shënjestër sektorin e hidrokarbureve të Rusisë.
Që nga shpërthimi i luftës Rusi-Ukrainë më 24 shkurt, India, importuesja e tretë më e madhe e naftës në botë, ka mbajtur një qëndrim të vendosur në këmbënguljen e saj për të blerë naftën ruse që Moska tani e shet me zbritje të mëdha pavarësisht ndalimit të BE-së, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Me 946 mijë fuçi në ditë gjatë muajit tetor, Rusia i ofroi Indisë më së shumti naftë bruto në një muaj të vetëm. Rusia siguroi 22 për qind të importeve totale të naftës bruto të Indisë, krahasuar me 16 për qind nga Arabia Saudite dhe 20,5 për qind nga Iraku.
Në muajin tetor, sipas gjurmuesit ‘Vortexa’, importet globale të naftës së papërpunuar u rritën me 5 për qind në krahasim me muajin shtator, ndërsa ato nga Rusia u rritën me 8 për qind.
Importet indiane të naftës së papërpunuar ruse nga deti u rritën. Përveç kësaj, India gjatë muajit tetor bleu naftë nga Rusia me një normë rekord prej 106 mijë fuçi në ditë.
‘Vortexa’ është një biznes i inteligjencës energjetike me zyra në Singapor dhe Londër që monitoron anijet e naftës dhe gazit në të gjithë globin, si dhe ofron analitikë të mallrave dhe inventarëve./FolDrejt/