Rusia ka testuar raketën më të madhe të saj balistike ndërkontinentale, e cila thuhet se mund të dërgojë një ngarkesë prej 10 tonësh, duke përfshirë armët bërthamore, dhe të synojë shumë vende në të njëjtën kohë.
Vladimir Putin tha se fluturimi i suksesshëm i raketës RS-28 Samrat, e cila ka qenë në zhvillim për disa vite, do të dërgonte një mesazh për pjesën tjetër të botës.
“Kompleksi i ri ka karakteristikat më të larta taktike dhe teknike dhe është e aftë të kapërcejë të gjitha mjetet moderne të mbrojtjes kundër raketave”, tha Putin.
“Kjo armë vërtet unike do të forcojë potencialin luftarak të forcave tona të armatosura, do të rrisë sigurinë e Rusisë nga kërcënimet e jashtme dhe për ata që përpiqen të kërcënojnë vendin tonë”, u shpreh tutje Putin.
Sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, raketa është e aftë të armatoset me koka bërthamore.
Në analizën e armës thuhej se raketa është 35.3 metra e gjatë dhe 3 metra në diametër, raporton DailyMail, transmeton Klankosova.tv.
Ministria e Mbrojtjes ruse tha se raketa e re është e aftë të godasë objektivat në rreze të gjata veprimi duke përdorur shtigje të ndryshme fluturimi dhe se ka karakteristika unike që e lejojnë atë të kapërcejë në mënyrë të besueshme çdo sistem ekzistues dhe të ardhshëm të mbrojtjes kundër raketave.
Raketa u lëshua nga kozmodromi Plesetsk në Arkhangelsk.