Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se 14 persona humbën jetën dhe 24 të tjerë u plagosën në sulmin që ushtria ukrainase kreu në Luhansk duke përdorur armë të SHBA-së dhe inteligjencën e siguruar nga vendet e NATO-s.
Në një deklaratë nga ministria thuhet se Forcat e Armatosura të Ukrainës dje sulmuan një spital në qytetin Novoaidar në rajonin Luhansk duke përdorur sistemin multiraketahedhës HIMARS të prodhimit amerikan, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Në këtë sulm u përdorën informacionet inteligjente të siguruara nga vendet e NATO-s, përfshirë edhe informacionet satelitore. (Si pasojë e këtij sulmi) Humbën jetën 14 persona. Ndërsa u plagosën 24 persona”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Po ashtu në deklaratë thuhet se një e treta e 17 raketave që ushtria ukrainase lëshoi po të njëjtën ditë në Novoya Kahovka në rajonin Kherson kanë shpërthyer në territorin e spitalit.
“Vendosja në mënyrë të qëllimshme në objektiv i spitaleve dhe vrasja e civilëve janë krime të rënda të regjimit të Kievit dhe padronëve të saj perëndimorë. Mos reagimi nga SHBA dhe NATO ndaj përdhosjes në mënyrë të tmerrshme të ligjit humanitar ndërkombëtar nga ana e Kievit, konfirmon edhe një herë pjesëmarrjen e tyre në mënyrë të drejtpërdrejt në konflikt dhe në krimet e kryera. Po ashtu në heshtje janë edhe strukturat ndërkombëtare, të cilave u kërkohet që të vlerësojnë në mënyrë të paanshme veprime të tilla”, theksohet në deklaratën e ministrisë ruse.
Më tej thuhet se vendet perëndimore me standard të dyfishtë teksa akuzojnë ushtrinë ruse në Irpin dhe Bucha, ato injorojnë vrasjen e civilëve nga ushtria ukrainase me armët amerikane, britanike, gjermane dhe franceze. Në deklaratën tërhiqet vëmendja se në të njëjtën kohë Evropa nxiton në idenë për formimin e gjykatës së paligjshme kundër Rusisë.
Sipas ministrisë ruse, Perëndimi përpiqet që vëmendjet t‘i tërheqin në drejtime të tjera për të mbuluar përgjegjësinë e tij. “Nuk do të lihen pa ndëshkim të gjitha këto veprime të paligjshme që përbëjnë krim, të kryera nga forcat e armatosura të Kievit”, thuhet në deklaratë./FolDrejt/