Fitorja ruse në Ukrainë është një “çështje jete a vdekjes” dhe përfshirja e shtuar e NATO-s po e zgjat konfliktin, tha Kremlini të enjten, raporton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Shkalla e përfshirjes së NATO-s në konfliktin në Ukrainë është rritur, por kjo nuk do të ndikojë në rezultatin pozitiv të ‘operacionit special ushtarak’ për Rusinë,” tha zëdhënësi Dmitry Peskov në një seminar në Moskë.
“Për ne, kjo është një çështje jete dhe vdekjeje. Prandaj ne kemi vetëm një mundësi — gjithçka duhet të shkojë sipas mënyrës sonë,” theksoi ai.
Moska thotë se operacioni i nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar ishte për të mbrojtur rusët që jetonin në rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ruse.
Sipas Peskov, gjatë gjashtë muajve të fundit, “lufta globale që po ndodh është bërë më e dallueshme, është bërë më e ashpër, më e pamëshirshme”.
Ndihma ushtarake për Ukrainën shoqërohet me luftën e informacionit kundër Rusisë, tha ai, duke shtuar se “NATO ka protokolle për të punuar me median — për nisjen e dezinformatave dhe shkurtimin e rrjedhave të informacionit nga jashtë.”
Në lidhje me thirrjet e Kievit për të çmilitarizuar dhe për ta kthyer Detin e Zi në një “Det të NATO-s”, Peskov tha se të dy pikat kundërshtojnë njëra-tjetrën, sepse të ftuarit në NATO do të thotë militarizim.
Ai shtoi se Deti i Zi duhet të mbetet “deti i bashkëpunimit dhe i sigurisë së pandashme për vendet bregdetare”. /FolDrejt/