Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se trajnimi ushtarak i Bashkimit Evropian (BE) për forcat ukrainase, si dhe dërgesat e armëve në Kiev e bëjnë bllokun evropian palë në konflikt.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Zakharova kritikoi masën e fundit të BE-së për mbështetjen e asistencës ushtarake për Ukrainën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Pothuajse 107 milionë euro janë ndarë për këtë përpjekje. Ky hap së bashku me furnizimin me armë vdekjeprurëse për regjimin e Kievit, rrit me kompetencë përfshirjen e BE-së, duke e bërë atë, natyrisht, palë në konflikt”, tha Zakharova.
Të hënën, Këshilli i BE-së ra dakord për të ngritur një mision të ndihmës ushtarake për të mbështetur më tej forcat e armatosura ukrainase.
Sipas shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, misioni do të nisë punën e tij në muajin nëntor.
Zakharova po ashtu paralajmëroi se mbështetja ushtarake e NATO-s për Ukrainën e afron aleancën në “vijën e rrezikshme të një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë”.
“Vendet e NATO-s, sikur konkurrojnë me njëri-tjetrin, vazhdojnë të pompojnë regjimin e Kievit me armë dhe municione, ta furnizojnë atë me inteligjencë, të trajnojnë ushtarë të regjimit të Kievit dhe t’i japin udhëzime për zhvillimin e armiqësive, duke u afruar kështu në vijën e rrezikshme të një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake me Rusinë”, tha Zakharova.
Sipas saj, çdo muaj rreth 1 miliard dollarë armë perëndimore, të furnizuara në Ukrainë, dalin në tregjet e zeza.
“Qarkullimi mujor i kontrabandës së këtij tregu të zi tejkalon 1 miliard dollarë. Ngarkesat ushtarake të NATO-s, të destinuara për regjimin e Kievit, përfundojnë në duart e terroristëve, ekstremistëve dhe grupeve kriminale në Lindjen e Mesme, Afrikën Qendrore dhe Azinë Juglindore”, theksoi ajo./FolDrejt/