Rusia nuk do të rishqyrtojë pezullimin e traktatit të ri START për armët bërthamore me Shtetet e Bashkuara derisa Uashingtoni të ndryshojë politikën e tij ndaj Ukrainës, tha sot zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.
Ryabkov tha se më 28 shkurt, Rusia i dorëzoi Ambasadës Amerikane në Moskë një shënim zyrtar për pezullimin e pjesëmarrjes ruse në Traktatin e Ri START.
“Amerikanët ishin të interesuar për disa detaje të vendimit tonë. Ata kanë pyetur konkretisht se kur do të vijojë njoftimi zyrtar, pasi është i nevojshëm në këtë rast. Ne iu përgjigjëm se sapo presidenti rus Vladimir Putin të nënshkruajë ligjin përkatës, gjë që u bë dje, menjëherë do të vinte një njoftim zyrtar”, tha ai, duke shtuar se nota është dorëzuar përmes ambasadës amerikane, transmeton Fol Drejt.