Çdo gjendje e identifikuar me kohë e pacientit shpëton drejtpërdrejt jetën
Nëse identifikoni te pacientët që saturimi, p.sh., ka rënë nga 95, në 93 dhe me kohë reagoni, shanset e atij pacienti që të shërohet, të mbijetojë janë shumë më të mëdha se kur identifikohet që saturimi ka rënë nga 95 në 80, apo në mos dhëntë Zoti në 70.
Shanset e pacientit të tillë, edhe nëse menjëherë e vendosni në respirator, janë shumë më të vogla se sa ta kishit bërë atë me kohë.
Kështu është me saturimin, kështu është me ndryshimet në fotografimin në rëntgen, kështu është me ndryshimet kur dëgjoni mushkëritë dhe vëreni që në ndonjë pjesë dëgjoni më mirë, ndërkaq në ndonjë më keq.
Këto janë ato gjëra të cilat drejtpërdrejt ndikojnë në rezultatin e shërimit dhe në rezultatin e asaj që do të ndodhë.
Si matet saturimi?
E gjithë procedura është e padhembshme dhe e shkurtër, ndërkaq bëhet në atë mënyrë që me instrumentin në formë kapëseje merret gishti tregues i dorës së pacientit, kur njëkohësisht në monitorin e specializuar tregohet vlera e pulsit dhe përqindja e ngopjes së arteries me gjak.
Vlerat normale të saturimit sillen nga 95 – 100%. Nëse pacienti ka probleme me mushkëritë dhe zemrën, vlerat e saturimit do të jenë të zvogëluara.
Saturimi i gjakut me oksigjen mund të matet edhe nëse pacienti vuan nga sëmundje kronike, siç janë – sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet obstruktive të mushkërive, sulmet e astmës apo laringjitit, diabeti etj.
Te personat e shëndetshëm, rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitet) janë në arterien e gjakut pothuajse në tërësi të ngopura me oksigjen (mbi 98%).
Te disa sëmundje, ngopja e gjakut me oksigjen është e ulur, ndonjëherë nën 90%, kur vjen deri te puna e shpejtuar e zemrës dhe frymëmarrja e shpejtuar.
Pajisja shëndetësore që ju lejon të keni informacion shumë të dobishëm për nivelin e oksigjenit që qarkullon në gjak, quhet oksimetër.
Por nga ana tjetër shumë lehtë mund t’ju vijë në ndihmë telefoni juaj. Nëse ndjeni që keni probleme me frymëmarrjen, përdorni aplikacionin Samsung Health në telefonat Samsung dhe Health në Iphone.
Mjafton të klikoni në kategorinë Stress dhe nëse shihni se niveli i oksigjenit në gjak ka rënë, mund të telefononi urgjencën.