Qendrat Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KDCA) publikuan rezultatet e një studimi duke deklaruar se një dozë e vetme e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer ishte 87% efektive në parandalimin e infeksionit tek njerëzit e moshës mbi 60 vjeç.
Të dhënat e KDCA tregojnë se vaksina Pfizer ishte 89.7 për qind efektive në parandalimin e infeksionit, të paktën dy javë pas dozës së parë, ndërsa vaksina AstraZeneca ishte 86 për qind efektive.
Studimi u krye në më shumë se 3.5 milionë njerëz në Korenë e Jugut, të moshës 60 vjeç, duke përfshirë 521,133 persona që morën dozën e parë të njërës prej dy vaksinave.
Këto të dhëna vijnë si rezultat i përpjekjeve të Koresë së Jugut për të forcuar procesin e vaksinimit pasi raportet e problemeve të mundshme të shëndetit dhe sigurisë penguan disa njerëz nga imunizimi.
Koreja e Jugut deri më tani ka vaksinuar 6.7 për qind të popullsisë së saj prej 52 milionë banorësh, por ka vendosur një qëllim ambicioz të imunizimit të 70 për qind të popullsisë së saj deri në shtator dhe arritjen e imunitetit kolektiv deri në nëntor.