I akuzuari Avni Llumnica është dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja është liruar nga akuza.
Në këtë rast, Llumnica akuzohet për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi është shpallur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë nga kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli.
Sipas aktgjykimit, Avni Llumnica në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Dënimi i shqiptuar me burg do të hyjë në fuqi pasi plotëfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
“Është fjala për pjesën e mbetur sepse të njëjtit do t’i llogaritet koha e qëndrimit në paraburgim nga datat 13 mars 2018 deri më datën 20 prill 2021”, tha gjykatësi Konxheli.
Pala e dëmtuar, Azem Vllasi për pikën 1 të aktakuzës ku i pandehuri Avni Llumnica është shpallur fajtor, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohet në kontest civil.
Sipas nenit 364, pika 1.3 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata ka marrë aktgjykim lirues ndaj Sadri Ramabajës, pasi nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale me të cilën akuzohet.
Shpenzimet e procedurës penale lidhur me pikën 2 të aktakuzës bien mbi mjetet buxhetore të gjykatës.
Në seancën e fundit, të mbajtur më 8 nëntor, prokuroria dhe pala e dëmtuar kërkuan dënimin e të akuzuarve me pretendime se të gjitha faktet vërtetojnë se veprat penale janë kryer siç përshkruhen në aktakuzë.
Në anën tjetër, të akuzuarit dhe mbrojtësit të tyre kanë kërkuar lirimin dhe shpalljen të pafajshëm e nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë për veprat penale.
Në këtë çështje penale, në cilësinë e të akuzuarit ka qenë edhe Bajrush Konjusha, mirëpo ai pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.
Ndryshe, ky rast kishte marrë epilog në janar të vitit 2020, kur Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, por pas ankesave të ushtruara, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në pikën zero.
Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.
Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha janë tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast.
Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.
Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.
Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.
Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.
Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.
Sipas kësaj aktakuze, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që tani i ndjeri M.J. të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë M.J në kryerjen e veprës penale.
Llumnica thuhet se më 6 mars 2017, e kishte sjellë nga Zvicra në Kosovë tani të ndjerin M.J., e kishte ftuar në shtëpinë e tij, ndërsa një ditë më vonë e kishte dërguar në motel “Fontana” në Veternik, ku ia kishte paguar edhe fjetjen në këtë motel.
Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri, tani i ndjeri M. J. kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës, në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me këtë, Llumnica thuhej se kishte kryer veprën penale “hakmarrje në ndihmë” nga neni 396, i Kodit Penal.
Llumnica sipas kësaj aktakuze, sa ishte në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëjë seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.
Për këtë, Llumnica thuhet se ka kryer veprën penale “Dhunim” nga neni 230 i Kodit Penal.
Të pandehurit M.J., Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, thuhet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesë e organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin “Avni Rrustema” diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë, etj.