Në ditën e fundit të manifestimit të ditëve të “Epopesë së UÇK-së, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani kanë bërë homazhe pranë shtëpisë së familjes Jashari në Prekaz.
Të dy krerët e shtetit kanë vendosur kurora lulësh në shtëpinë që është simbol i lirisë së vendit, por asnjëri nuk ka folur për gjendjen në të cilën janë lënë Kullat e Jasharajve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se vendosën lule të freskëta në vendin ku ranë Adem e Hamëz Jashari.
Kreu i shtetit nuk ka dashur të flas nëse ka një platformë ose rezolutë për dialog me Serbinë që i ka kryer këto krime në Kosovë.
Ndërsa, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ishin në familjen Jashari për të nderuar kujtimin e të gjithë të rënëve dhe kujtimin për komandantin legjendar Adem Jashari.
Osmani tha se kishin mundësinë të dëgjonin nga familja Jashari për peripecitë në të cilat ka kaluar kjo familje për dekada me radhë, por gjithmonë duke u dëshmuar si mbrojtës të çështjes kombëtare.
Kurti e Osmani janë pritur nga vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifst Jashari, i cili i ka shoqëruar edhe gjatë homazheve tek kullat.
Sot përfundon manifestimi “Epopeja e UCK-së”, ku në mbrëmje do të organizohet nata e zjarreve në Prekaz.