Kryetari i PD ka folur në protestën e mbajtur këtë të martë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit duke u dhënë një mesazh liderëve të BE që janë sot të pranishëm në Tiranë për samitin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Berisha tha se në tryezë ata janë ulur me kryeministrin shqiptar “që në gjithë kodet e botës duhet të ishte para drejtësisë”.
Sali Berisha: Nga ky shesh, në Shqipëri dhe kudo që jeni, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme.
Së pari, në emrin tuaj, më lejoni t’ju uroj me gjithë zemrën, mirëseardhjen në Tiranë, shtetarëve më të lartë të vendeve anëtare të BE.
Për ne, është një rast shumë i veçantë, që t’u shprehim atyre, vendeve të tyre mirënjohjen më të pakufishme për ndihmën e gjithanshme që i jepni shqiptarëve.
Prania e qeveritarëve më të lartë të BE është mbështetja më e madhe që vlerat evropiane në Shqipëri kanë marrë në vendin tonë.
Ky samit është një mbështetje e madhe për shqiptarët dhe PD-në, forcën politike që në betejë për vlerat evropiane, me moton: E duam Shqipërinë si Europa, përmbysi diktaturën komuniste.
Tre dekada më parë, ne nisëm rrugën e demokracisë si kombi i tretë më i varfër i planetit. Sot nga ajo kohë, të ardhurat janë rritur së paku 25 herë.
Bujaria e kombeve dhe vendeve tuaja, ka qenë e një rëndësie thelbësore në këtë arritje, ndaj dhe ne u mbetemi borxhli përjetë ju dhe taksapaguesve tuaj.
Ne përfaqësohemi në këtë samit me njeriun që në gjithë kodet e botës duhet të ishte para drejtësisë e jo aty i ulur me ju.
Ne ndihemi fatkeq se pushteti i atij që na përfaqëson qendron mbi krimin elektoral, votën e vjedhur të qytetarëve, mbi drogën korrupsionin e të zezat e tjera ndaj këtij kombi. Sot Evropa e bota kanë mundësi të njihen me të vërtetat e Shqipërisë, ne miqve do u themi të vërtetën, ne nuk jemi këtu në manifestim festiv si do donim të ishim. Sot të jehojë dhe zëri i popullit opozitar./FolDrejt/