Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka marrë pjesë në tryezën “Qasja në drejtësi e viktimave të dhunës në familje me focus në aspektet e sigurisë” të organizuar nga OSBE / OSCE Mission in Kosovo, njofton Ministria e Drejtësisë, transmeton Fol Drejt.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe Zëvendësministri i Ministria e Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, Ambasadori dhe Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Michael Davenport.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Sallahu kërkoi nga organet e rendit të hetuesisë, prokurorisë dhe gjykatave t’i vënë para drejtësisë të gjithë të dyshuarit për vepra penale të dhunës dhe këto raste t’i përcjellin me efikasitet dhe përgjegjësi.
Zëvendësministri Sallahu tha se struktura e ndërtuar shoqërore dhe kategorizimi social në përmasa eklatante në disfavor për vajzat dhe gratë është alarm institucional për seriozitetin e nevojshëm për trajtimin e rasteve të dhunës mbi baza gjinore.
Sipas zëvendësministrit Sallahu, gratë edhe vajzat në Kosovë për shkak të rrethanave të trashëguara historikisht e po ashtu për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe bazuar në nivelin e përgjithshëm arsimor e kulturor, duhet të jenë epiqendra e trajtimit dhe kujdesit institucional.
“Konkretisht, angazhimi institucional duhet të jetë i fokusuar në mënyrë holistike ashtu që shtrirja e mbështetjes të jetë më e lartë aty ku nevoja për të është më e madhe”, tha zv.ministri Sallahu.
Zëvendësministri Sallahu, foli lidhur me hapat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë, për të rritur përpjekjet për luftimin e hershëm të dhunës mbi baza gjinore, duke theksuar këtu Strategjinë kundër Dhunës në Familje; ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës; Lansimi i Protokollin Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale që ofron ndihmë dhe mbrojtje për viktimat dhe të cilat do të kontribuojnë që dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore të minimizohet./FolDrejt/