Samiti BE-Ballkan Perëndimor që do të mbahet me 6 dhjetor, do të organizohet në Tiranë.
Kështu ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në facebook, transmeton Fol Drejt.
Rama është shprehur entuziast për organizimin e këtij eventi, teksa ka theksuar se askush nuk do ta imagjinonte se gjithë liderët e BE-së do të zbrisnin në Tiranë.
“Nuk besoj se mund ta imagjinonte kush deri disa vite më parë, që tërë liderat e BE-së do të zbrisnin në Tiranë, për një punë që gjithnjë është bërë në Bruksel. Por sot Tirana nuk është më ajo e deri disa viteve më parë, po është kryeqyteti i një vendi të respektuar në politikën ndërkombëtare, si edhe një qytet i ri europian tërheqës për zhvillimin e tij mbresëlënës.” – ka thënë kryeministri Rama.
Tutje ai ka shtuar se për Tiranën kjo është ngjarja më e madhe ndërkombëtare e historisë së saj.
“Për vitin 2022 që po shkon drejt përfundimit, kjo ngjarje është qershia mbi tortë pas kulmit të bukur të Finales së UEFA Conference League shtëpinë e kuqezinjve. Ndërsa për mua dhe qeverinë shqiptare, organizimi në Tiranë i një samiti të liderëve të Bashkimit Europian&Ballkanit Perëndimor është fruti më i bukur, i përpjekjes për afirmimin e Shqipërisë, si një zë i respektuar dhe anëtar dinjitoz i bashkësisë ndërkombëtare.” – ka shtuar ai./FolDrejt/