Kryeministri britanik Boris Johnson tha se vendet e G-7-ës që do të takohen të premten, do të njoftojnë për një plan për të dhuruar një miliardë doza vaksinash COVID-19 në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Njoftimi i erdhi Johnson të enjten pasi Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se administrata e tij po dhuron 500 milionë doza të vaksinës Pfizer, gjysmën e sasisë që do të japin të gjitha vendet e G-7-ës, për 92 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Patsy Widakuswara, e cila po udhëton me presidentin na dërgoi këto hollësi, përcjell FolDrejt.com.
“Shtetet e Bashkuara do të blejnë 500 milionë doza vaksinash Pfizer për COVID-19 për t’ua dhuruar gati 100 vendeve që kanë nevojë urgjente për të luftuar kundër kësaj pandemie”, tha presidenti.
“Dhurimi i vaksinave nga ana jonë nuk përfshin presion për favore ose lëshime të mundshme. Ne po e bëjmë këtë për të shpëtuar jetë, për t’i dhënë fund kësaj pandemie,” tha Biden.
Duke njoftuar planet e tij për donacionin e vaksinave në prag të samitit të G-7ës, presidenti Biden po nxit grupin e vendeve të pasura të ndjekin shembullin e tij. Ai gjithashtu po hedh poshtë akuzat se Shtetet e Bashkuara po mbajnë pa përdorur, shuma të mëdha vaksinash.
Disa orë pas njoftimit të Bidenit, kryeministri Johnson tha se Britania do të jepte të paktën 100 milionë doza vaksinash. Ai pret që G-7a të premtojë të dhurojë një miliard doza gjatë këtij samiti.
Ndërsa aktivistët e përshëndetën planin e Bidenit, ata kërkojnë që vendet e pasura të bëjnë më shumë për të ndihmuar vaksinimin e botës, veçanërisht ato vende që kanë më shumë doza sesa u duhen.
Dozat do të shpërndahen përmes programit COVAX, mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për ndarjen e vaksinave. Kjo do t’u kushtojë taksapaguesve amerikanë 3.5 miliardë dollarë, 2 miliardë dollarë prej të cilave do të paguhen me fondet e premtuara tashmë për programin COVAX.