Samiti i liderëve evropianë dhe afrikanë fillon me premtime ambicioze për ripërtërirjen e partneritetit, duke rritur investimet në Afrikë.
Mbi shtatëdhjetë liderë evropianë dhe afrikanë do të mblidhen pasdite në Bruksel për Samitin e Bashkimit Evropian dhe Bashkimit Afrikan që nis me një ofertë të diskutueshme nga BE-ja për të forcuar pozicionin e saj në kontinentin fqinj mes konkurrencës së fortë nga Kina, shkruan AA.
Rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish afrikane konfirmuan pjesëmarrjen e tyre në Samitin e 6-të Bashkimi Evropian-Bashkimi Afrikan, të cilët do të bashkohen me homologët e tyre evropianë në diskutimin e rritjes ekonomike, ndryshimeve klimatike, migrimit dhe sigurisë.
Krerët e shteteve dhe qeverive afrikane dhe evropiane do të marrin pjesë në shtatë tryeza të rrumbullakëta në vend të një seance të vetme plenare për të sjellë, sipas shpresave të organizatorëve, diskutime më reale dhe të thelluara mbi temat kryesore të bashkëpunimit BE-Afrikë.
Siç theksoi një zyrtar i BE-së, duke folur në kushte anonimiteti, blloku pret që samiti të jetë një “hap ndryshimi në natyrën e marrëdhënieve” me Afrikën.
BE-ja ka njoftuar plane ambicioze për investimet dhe dhurimin e vaksinave në Afrikë përpara takimit dy-ditor, por faktori PR duket të jetë më dominues pas këtyre premtimeve sesa angazhimi ose kapaciteti real i bllokut.
– Lufta kundër COVID-19
“Tashmë është një sukses që takimi mund të zhvillohet”, pranoi një tjetër zyrtar i BE-së, duke iu referuar faktit se ngjarja u shty për dy vjet për shkak të pandemisë COVID-19, transmeton Fol Drejt.
Një nga tryezat do t’i kushtohet luftës kundër koronavirusit dhe zhvillimit të sistemeve shëndetësore afrikane.
BE-ja u zotua vitin e kaluar të ndajë një miliardë euro për të ndërtuar objekte të reja që prodhojnë vaksina në Afrikë.
Fabrikat e reja në Ruandë dhe Senegal do të hapen këtë vit, ndërsa liderët pritet të diskutojnë projekte të reja gjatë samitit.
BE-ja gjithashtu premtoi të dhurojë 450 milionë vaksina kundër COVID-19 në vendet afrikane deri në mesin e vitit 2022, por deri më tani ka dorëzuar vetëm 148 milionë doza.
Sipas burimeve të BE-së, Komisioni Evropian do të blejë 200 milionë doza nga kompanitë farmaceutike dhe vendet e BE-së do ta japin pjesën tjetër nga stoku që kanë blerë tashmë për vete.
Megjithatë, për të përmbushur objektivin dhe për të ruajtur besueshmërinë e saj, blloku duhet të përshpejtojë përpjekjet e saj për të arritur objektivin pasi dorëzoi rreth 30 milionë doza gjatë tre muajve të fundit.
– Investime në infrastrukturë
BE-ja ka njoftuar një paketë investimi në shkallë të gjerë prej 150 miliardë euro për Afrikën nën strategjinë e saj “Global Gateway”, e cila synon të kundërshtojë Iniciativën e kineze “Rrugë dhe Brez”.
Aspirata e BE-së për të mbetur investitori numër një në rajon reflektohet mirë nga fakti se gjysmën e fondeve nga plani “Global Gateway” i dedikon Afrikës.
BE synon të financojë kryesisht investimet infrastrukturore, të mbështesë arsimin dhe sipërmarrjen gjatë shtatë viteve të ardhshme.
Planet përfshijnë investime në korridoret e transportit, teknologjitë e ndërlidhjes, si komunikimi satelitor dhe fibra optike, si dhe sektori i energjisë duke mbështetur energjinë e hidrogjenit dhe burime të tjera të rinovueshme.
“Paketa e investimeve u përgjigjet nevojave dhe kërkesave të shprehura nga udhëheqësit afrikanë”, konfirmoi një zyrtar i tretë i BE-së, duke shtuar se blloku do të mbështesë vetëm projekte që janë mjedisore, sociale, financiarisht të qëndrueshme dhe transparente.
Mbështetja gjithashtu i shërben interesave jo aq të reja të sigurisë të bllokut, pasi konfliktet në Afrikë mund të krijojnë terren për terrorizmin ndërkombëtar dhe të përforcojnë migrimin drejt Evropës.
“Pa zhvillim nuk ka paqe. Me ndihmën ne parandalojmë, menaxhojmë krizën dhe kontribuojmë në rindërtimin pas konflikteve”, thonë nga BE.
– PR i fuqishëm
Qasja e re ndaj zhvillimit të Afrikës reflektohet më së shumti duke etiketuar mesazhe të fuqishme PR për projektet e investimeve, duke i emërtuar ato si “Ura e Inovacionit Digjital Afrikë-Evropë” ose “Shkathtësitë e drejtuara nga mundësitë dhe ATP në Afrikë”. ATP do të thotë arsim dhe trajnim profesional.
Por siç ndodh shpesh me strategjitë e BE-së, paketa mbresëlënëse me vlerë 150 miliardë euro është llogaritur disi me magji financiare dhe nuk përfshin para të reja.
BE-ja parashikoi 36,8 miliardë euro grante për zhvillimin e Afrikës në buxhetin 2021-2027, i cili u miratua në vitin 2020, ndërkohë që disa shtete anëtare, apo si Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen pëlqen ta quajë atë “ekip i Evropës”, premtoi 20 miliardë euro të tjera ndihmë zhvillimore.
Përveç kësaj, BE-ja do të ofrojë garanci kredie në vlerë prej 53,4 miliardë euro.
Pjesa tjetër bazohet vetëm në shpresën se interesi i komunikuar mirë i BE-së do të shfrytëzoj një kapital privat të mjaftueshëm për të tejkaluar hendekun dhe, me shpikjen tjetër gjuhësore të Komisionit Evropian, të “mobilizojë” 150 miliardë euro në total./FolDrejt/