Vendimi i NATO-s për të shtuar forcat e saj në Europën Lindore tregon se aleanca ende nuk mendon se ka bërë mjaftueshëm për të mbështetur krahun e saj lindor. Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha dje se aleatët do të nënshkruajnë dërgimin e katër “grupeve luftarake” tek anëtarët lindorë: Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Dislokimi i këtyre trupave është pjesë e përpjekjeve që kanë nisur më herët për të shtuar prezencën ushtarake afër Rusisë.
“Pres që liderët të pajtohen me forcimin e qëndrimit të NATO-s në të gjitha fushat, me rritjen e forcave në pjesën lindore të aleancës në tokë, ajër dhe det”, tha ai.
Por NATO paralajmëroi dje se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të rrëshqasë në një konfrontim bërthamor midis Moskës dhe Perëndimit.
“Rusia duhet të ndalojë këtë retorikë bërthamore të rrezikshme dhe të papërgjegjshme”, tha Stoltenberg gjatë një konference shtypi në Bruksel.
“Por të mos ketë dyshim për gatishmërinë tonë për të mbrojtur aleatët kundër çdo kërcënimi, në çdo kohë”, shtoi ai. “Rusia duhet ta kuptojë se kurrë nuk mund ta fitojë një luftë bërthamore”, tha ai në samitin e liderëve të aleancës ushtarake perëndimore.
Megjithatë, Stoltenberg ritheksoi se “NATO nuk është pjesë e konfliktit”. Shefi i NATO-s ka folur ashpër edhe për rolin e Bjellorusisë (fqinjit verior të Ukrainës) në luftën që po zhvillohet. Bjellorusia ka qenë “bashkëpunëtore” në pushtimin rus të Ukrainës edhe para fillimit të tij, duke lejuar që territori i saj të përdoret për grumbullimin e trupave, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se Bjellorusia ka lejuar gjithashtu që fushat e saj ajrore ushtarake të përdoren nga forcat ruse për të nisur sulmet ndaj civilëve ukrainas. Ndërkohë, Stoltenberg theksoi se udhëheqësit e NATO-s janë të vendosur për t’i dhënë mbështetje shtesë Ukrainës për t’u përballur me kërcënimet kimike dhe bërthamore, teksa njëkohësisht lufton me forcat pushtuese ruse.
“Të enjten, pres që aleatët të bien dakord të ofrojnë mbështetje shtesë, duke përfshirë ndihmë në sigurinë kibernetike, si dhe pajisje për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet nga kërcënimet kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore”, tha Stoltenberg nga Brukseli. Po të enjten, Presidenti Biden pritet të marrë pjesë në samitin e jashtëzakonshëm të 30 liderëve të NATO-s, ku do të diskutohen masat parandaluese kundër Rusisë dhe “ripohoi angazhimin tonë të hekurt ndaj aleatëve tanë të NATO-s”, njofton Shtëpia e Bardhë./FolDrejt/