Avokati serb, Çedomir Stojanoviq, ka publikuar pamje të politikanit serb Nikola Sanduloviq i cili u rrah brutalisht në ndërtesën e BIA-s serbe nga data 3 deri më 4 janar, 2024.
Stojanoviq ka thënë se Sanduloviqi është rrahur për shkak se postoi një video në platformën X ku shihej duke vënë lule te varrezat e familjes Jashari në Prekaz dhe për faktin se kishte kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë.
Avokati tha se politikani i rrahur në video shihet teksa largohet nga Qendra Emergjente e spitalit në Beograd e po dërgohet në Burgun Qendror, me urdhër të prokurorit publik të qytetit të Nishit.
Ai thotë se jeta e Sanduloviqit “është në rrezik”.
“Ata po e marrin Nikolan sepse vendosi lule në varret e shqiptarëve. Është kjo një akuzë zyrtare dhe formale kundër tij. Më lejoni të përsëris: akuza zyrtare dhe formale është se ai ‘përhapi urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varrezat e shqiptarëve dhe kërkoi falje nga shqiptarët për krimet e kryera’”, deklaroi Stojanoviq.