Bashkimi Evropian miratoi të martën një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Sanksionet përfshijnë ndalesa të investimeve në sektorin energjetik rus, në eksportet e mallrave luksoze dhe në importet e produkteve të çelikut nga Rusia.
Sanksionet, që hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së gjatë ditës së sotme, ngrijnë edhe asetet e shumë udhëheqësve të biznesit, që mbështesin shtetin rus – në mesin e tyre edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich.
Burime të BE-së i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sanksionet do të godasin kompanitë kryesore të naftës në Rusi – Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft – edhe pse vendet anëtare të BE-së do të mund të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz prej tyre.
Sanksionet e fundit pasojnë tri runde të tjera masash ndëshkuese, të cilat kanë përfshirë ngrirjen e aktiviteteve të Bankës Qendrore të Rusisë dhe përjashtimin nga sistemi bankar SWIFT i disa bankave ruse dhe bjelloruse.
Në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, SHBA-ja ka miratuar po ashtu një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë – përfshirë ndalimin e importit të naftës së saj.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes. Sipas Kombeve të Bashkuara, gati tre milionë njerëz janë zhvendosur tashmë nga Ukraina./REL/