Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ngushëlloi për vdekjen e presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, duke thënë se ishte një politikan i veçantë që pati një angazhim në interes të Kosovës.
Osmani në një postim në Facebook shkruan se ai iku befasisht, duke lënë një zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti, por edhe në skenën politike, si një njeri racional, i hapur dhe evropian i dedikuar:
“Sot bota politike mbeti pa Presidentin e Parlamentit Evropian, z.David Sassoli. Ai iku befasisht, duke lënë një zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti, por edhe në skenën politike, si një njeri racional, i hapur dhe evropian i dedikuar. Një vit më parë, pata nderin ta takoj z. Sassoli në Bruksel – një takim e një diskutim që do të mbetet me mua përherë. Ai nuk ishte vetëm një profesionist i pashoq, por edhe një njeri i përkushtuar e i angazhuar, me interes të veçantë për Kosovën duke e mbështetur atë në rrugën e integrimit evropian.
Ngushëllime të sinqerta për familjen e miqtë e tij, si dhe të gjithë shtëpinë e madhe evropiane, në të cilën ai punoi me përkushtim, si një mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Z.Sassoli u prehtë në paqe!” – ka shkruar presidentja.