Një herë e një kohë, thuhet se shejtani i kishte nxjerrë në shitje të gjitha armatimet e tij. Çdo armë që përdorte për largimin e njeriut nga rruga e mbarë, ishte paketuar në një kuti dhe mbante dhe një çmim. Një kuti përmbante gënjeshtrën dhe njerëzit ishin në radhë për ta blerë. Një kuti tjetër mbante tradhtinë, një tjetër shthurjen, vrasjen, mashtrimin etj… Njerëzit i blenë të gjitha armët e shejtanit, përveç njërës, të cilën shejtani refuzonte t’ua shesë.
“Po atë armën në atë kutinë pranë teje, përse nuk na e shet?! E duam dhe atë! Do të paguajmë sa të duash.” i thoshin njerëzit. Megjithatë, shejtani nuk lëkundej nga vendimi i tij për të mos e shitur.
Në fund, dikush e pyeti: ”Mirë se nuk na e shet, por a nuk na thua përse nuk e shet? Cila është ajo armë? Cili është ndikimi i saj?”
Shejtani u përgjigj:”Bëhet fjalë për demoralizimin dhe humbjen e shpresës.”
Nëse pyet çdo njeri i cili ka bërë tentativë vetëvrasjeje, një krim i ndaluar tek të gjitha fetë, do të thoshte se në ato çaste nuk shihte asgjë tjetër përveçse një errësirë që kishte kapluar jetën e tij. Nëse do të kishte parë qoftë dhe një rreze drite të vogël shprese, nuk do e kishte hedhur atë hap.”
Njeriu, edhe kur është në kushte ekonomike shumë të rënda, jeton dhe i përballon këto kushte falë shpresës për një të ardhme më të mirë. Fëmija jeton falë shpresës se do të rritet. Studenti jeton me shpresën se do të kalojë dhe ti përfundojë studimet. Beqari jeton me shpresën se do të takohet me shoqen e jetës dhe do të martohet. I martuar jeton me shpresën se do të lindë fëmijë, edhe pse mund të jenë sterilë. Prindi jeton me shpresën se fëmijët e tij do të rriten dhe pasi të rriten, shpreson se do të jenë të suksesshëm, mandej se do të martohen e krijojnë familje, mandej se do i shohë nipërit e mbesat… derisa ti vijë vdekja.
Kjo është jeta.. shpresë.. Sikur të mos ishte shpresa, nuk do të kishte jetë, e nëse do të kishte jetë, do të ishte një jetë mizerie. Prandaj, kërkojeni shpresën në jetën tuaj.