Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka bërë të ditur se qeveria nuk ka zgjidhje për kërkesat e tyre, prandaj kjo sindikatë ka bërë të ditur se greva vazhdon.
Në njoftimin e tyre thuhet se qasja e qeverisë ka bërë që të ketë grevë të përgjithshme.
“Me muaj të tërë Qeveria i ka ikur dialogut me sindikatat dhe nuk është angazhuar fare për zgjidhjen e kërkesave legjitime të punëtorëve në sektorin publik. Kjo qasje e gabuar ka sjell edhe deri të greva e përgjithshme që po vazhdon që nga 25 gushti dhe me këtë qasje të Qeverisë nuk dihet edhe sa do të zgjas”.
“Këshilli Grevist i BSPK-së dhe ai i SBASHK-ut donin të besonin se më në fund po nis dialogu i sinqertë me Qeverinë dhe do të krijoheshin kushtet për arritjen e marrëveshjes së pranueshme, por takimi në MASHTI me ministren Nagavci e zv/ministrin Pupovci e pastaj takimi në Këshillin Ekonomik Social , në të cilin ishin përfaqësuesit e BSPK-së, disa nga Odat dhe përfaqësuesit e Qeverisë me përfaqësuesit kyç Hekuran Murati e Arbërie Nagavci”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e SBAShK-ut thuhet se qeveria nuk e do dialogun e as zgjidhjen e kërkesave legjitime të grevistëve, përcjell Klankosova.tv.
“Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj , kryetari i Federatës sindikale të shërbyesve civil Ali Gashi, por edhe përfaqësuesit tjerë të BSPK-së disa herë iu drejtuan me lutje përfaqësuesve të Qeverisë dhe pjesëmarrësve të tjerë që të debatojnë qetë dhe të ndihmojnë që të ketë takim të Qeverisë me përfaqësuesit e BSPK-së, pra me Këshillin Grevist. Mirëpo debatet e kulturuara e gjithë këto lutje në fillim të takimit sikur i trimëruan Muratin e Nagavcin, që kushtëzonin pa të drejt se pa as edhe një takim dhe pa as edhe një marrëveshje të mbyllej greva” .
“Kjo dëshmoi se ata ose nuk duan ose nuk dinë vërtetë as gjë për dialogun dhe veprimet sindikale . Greva ndodh kudo në botë për të nxitur Qeverinë për të ndodhur dialogu e ofruar zgjidhje të pranueshme për kërkesat e grevistëve në mënyrë që të mbyllet greva e në Kosovë përfaqësuesit e Qeverisë e donin të kundërtën dhe me qëllim të caktuar. Ata insistonin që të mbyllet greva e pastaj të bëhej ,kinse, dialogu. Kjo tregon se ata vërtetë nuk e duan dialogun e as zgjidhjen e kërkesave legjitime të grevistëve . Ata për të mos u parë nga opinioni qëndrimi i tyre dhe kryeneçësia nuk kishin ftuar as mediet që të përcjellin takimin në MASHTI e as në ambientet e Qeverisë”, thuhet tutjë në njoftim.
Aty gjithashtu thuhet se tani e tutje Këshilli Grevist do të shkoj në takime vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat siç thanë ata përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve.
“Tani e tutje përfaqësuesit legjitim të BSPK-së, pra Këshilli Grevist do të shkoj në takime, por vetëm atëherë kur qeveria sillet si palë e barabartë dhe zhvillon debat përmbajtjesor dhe merret me kërkesat e grevistëve. Takime në stilin ju sindikatat heshtni dhe pranoni ato që po themi ne nuk do të ketë më. Qeveria është i vetmi fajtor dhe deri sa ajo vazhdon me injorancë e fjalime të thata, greva do të vazhdojë sepse kështu kanë vendosur, jo individët, por grevistët”, thuhet tutje në njoftim.