Greva në sistemin arsimor ka hyrë në javën e pestë. Ndonëse ka pasur shumë takime e përpjekje, Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës së Kosovës dhe Qeveria nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje.
Nga SBASHK-u kanë dhënë sinjale se greva në arsim mund të ndërpritet, pasi sipas tyre, ekzekutivi nuk po reflekton për të përmbushur kërkesën kryesore të sindikalistëve – 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit të Pagave.
Luljeta Boshnjaku nga Këshilli Grevist, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se në rast të mosarritjes së marrëveshjes gjatë kësaj jave, do të diskutojnë sërish me anëtarësinë.
“Anëtarësia është zëri kryesor dhe vendos për ndërprerje apo vazhdim të grevës. Por, siç po shihet Qeveria nuk po reflekton. Greva është në javën e pestë dhe nëse nuk arrihet një zgjidhje, do të diskutojmë sërish me anëtarësinë”, është shprehur ajo.
E pyetur nëse ka gatishmëri nga mësimdhënësit për ta ndërprerë grevën, Boshnjaku ka thënë se një propozim të tillë nuk ua kanë bërë asnjëherë.
Greva në arsim ka nisur më 25 gusht dhe po vazhdon të mbahet në shumicën e shkollave në Kosovë.
Mësimdhënësit, ndër të tjera po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit për Paga, i cili aktualisht është në diskutim publik./Telegrafi/