Sindikata e Bashkuar e Arsimit, i ka reaguar ministrisë së Arsimit ku ka thënë se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor e të mesëm të ulët këtë të shtunë s’është mbajtur mësim.
Sipas kësaj sindikate, në pjesën tjetër të institucioneve arsimore, numri i nxënësve ishte shumë i vogël, rrjedhimisht sipas tyre, nuk mund të thuhet se ka pasur proces mësimor, transmeton Fol Drejt.
“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në reagimin e SBAShK-ut.
Tutje, SBAShK-u i ka bërë thirrje MASHTI-it që të mbajnë një takim me ta, Asociacionin e Komunave, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe Këshillit të Prindërve në mënyrë që të bëhet përpjekje për të arritur marrëveshje në lidhje me orët e humbura gjatë grevës.
“Nëse nuk veprohet kështu , atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, thuhet në komunikatën e SBAShK-ut, përcjell Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot ishte ministria e Arsimit ajo që ka deklaruar se kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës ka vazhduar, ndonëse sipas tyre, ka pasur mungesa nga nxënësit, por të njëjtat do të evidentohen në ditar./FolDrejt/