SBASHK-u vazhdon angazhimet që të gjendet mundësi për dialog e marrëveshje me Qeverinë për realizimin e kërkesave legjitime të anëtarësisë e për të mos pasur nevojë për greva e protestë të përgjithshme. Në kuadër të këtij angazhimi SBASHK-u u ka dërguar apel në adresat e tyre zyrtare elektronike deputeteve e deputetëve të Parlamentit të Kosovës duke apeluar te ta që të angazhohen për debat konstruktiv dhe që të ketë dialog e marrëveshje të Qeverisë me sindikatat. Në këtë apel thuhet:
Të nderuara deputete, të nderuar deputetë të parlamentit të Republikës së Kosovës SBASHK-u dhe sindikatat tjera duke respektuar zërin e anëtarësisë së tyre me muaj të tërë janë angazhuar, edhe përmes BSPK-së, që të kenë dialog me Qeverinë e për të arritur marrëveshje të pranuar për kërkesat legjitime të të punësuarve në arsim dhe në sektorët tjerë.
Mungesa e gatishmërisë së Qeverisë për dialog ka bërë që të krijohet situatë e tensionuar dhe SBASHK e sindikatat tjera kanë nisur me veprime të kufizuara e të përshkallëzuara sindikale, por duke i dhënë kohë e hapësirë Qeverisë për dialog e marrëveshje.
Ju kujtojmë se ndodhi protesta e 8 prillit me pjesëmarrjen vetëm të udhëheqësve sindikal, por Qeveria heshti, ndodhi edhe greva njëorëshe më 12 maj në tërë sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri në universitete dhe prapë Qeveria heshti. Të premten, më 20 maj, do të jetë protestë me pjesëmarrje të të punësuarve në arsimim dhe tërë sektorin publik dhe nëse edhe pas kësaj Qeveria hesht dhe nuk angazhohet për dialog e marrëveshje me sindikatat, atëherë arsimi dhe sektorët tjerë po shkojnë drejt grevës së përgjithshme, të cilën ne nuk e dëshirojmë dhe prandaj po ju drejtohemi Juve të nderuara deputete dhe juve deputetë të nderuar që të angazhoheni dhe në një debat konstruktiv të ndihmoni që të ketë dialog e marrëveshje të Qeverisë me sindikatat./FolDrejt/