SBASHK-u ka parlajmëruar se në shtator kur pritet të fillojë viti i ri shkollor, do të ketë grevë.
Sipas kësaj sindikate një gjë e tillë po bëhet pas protestave e grevave një orëshe për plotësimin e kërkesave të tyre.
“Duke u përballur me qasjen e tillë të Kurtit dhe Qeverisë që ka mbyllur hermetikisht dyert për dialog, SBASHK-u me keqardhje informon opinionin e gjerë se janë harxhuar të gjitha mjetet sindikale dhe nuk kemi as një fije shprese se Kryeministri do të ndryshoj qasjen dhe prandaj bazuar në Ligjin e grevave ne do të jemi të shtyrë t’ia plotësojmë dëshirën Kryeministrit dhe Qeverisë dhe shtatori, pa fajin tonë , shkollat nuk do t’i gjej me fillim të vitit shkollor e as me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, po me grevë të përgjithshme, që nga çerdhet e deri në Universitete. Këtë nuk po e deklarojmë sa për të thënë diçka, por është vendim i Këshillit Drejtues dhe organeve tjera të SBASHK-ut, nëse deri në shtator nuk plotësohen kërkesat tashmë të njohura.”, thuhet në njoftimin e SBASHK.
Ndryshe, në protestën e 20 majit, BSPK ka renditur një varg kërkesash ndaj Qeverisë, si miratimin e Projektligjit për paga dhe shtesat prej 100 eurove për punëtorët e sektorit publik, si dhe nisjen e dialogut social. Kërkesa të ngjashme paraqitën edhe sindikatat e tjera të BSPK-së, në kuadër të saj edhe SBASHK./21Media