Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se paketa e sanksioneve mbi të cilën Bashkimi Evropian (BE) po punon kundër Rusisë nuk është e fundit dhe se do të përgatiten edhe paketa të tjera sanksionesh, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Scholz ka bërë deklarata për shtyp para fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit Evropian (PE) që mbahet në Strazburg me rastin e Ditës së Evropës.
Duke bërë të ditur se BE-ja po vlerëson zgjerimin e mëtejshëm të regjimit të sanksioneve kundër Rusisë, Scholz tha se do të ketë edhe vazhdimësi të pakos së 11-të të sanksioneve.
Ai theksoi se për sanksionet nevojitet vazhdimësi dhe se po punohet për këtë, duke shtuar se pakoja e 11-të nuk do të jetë e fundit.
Komisioni Evropian (KE) njoftoi se vendeve anëtare dje u është dërguar propozimi për pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë dhe se pakoja fokusohet në zbatimin e sanksioneve, në efektivitetin dhe parandalimin e kapërcimit të tyre.
Në këtë fazë pritet që pakoja e re e sanksioneve të trajtohet nga vendet anëtare ditën e mërkurë në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Këshillit Evropian (COREPER).
Në shtyp janë publikuar informacione se në propozim janë të përfshira edhe disa kompani kineze me arsyetimin se kanë furnizuar Rusinë me pajisje që mund të përdoren për qëllime ushtarake.
Deri më tani, BE-ja ka vendosur në zbatim pakon e 10-të të sanksioneve kundër Rusisë.
Në këtë kuadër, ndaj Rusisë janë zbatuar një gamë e gjerë kufizimesh, përfshirë tregtinë, financat, qymyrin, energjinë, industrinë, teknologjinë, transportin, mallrat e luksit dhe me përdorim të dyfishtë si dhe arin. Janë ngrirë asetet e më shumë se 1 mijë personave dhe të rreth 200 institucioneve./FolDrejt/